HAPAT PËR ZGJIDHJEN E KONFLIKTEVE

Zakonisht, dikur gjatë jetës dhe shërbesës, dalin keqkuptime, konflikte e fërkime dhe, si mëkatarë që jemi, ne e lëndojmë njeri‐tjetrin. Këtu po prezantojmë një udhëzues të veçantë për këtë fushë për shkak se mospërballimi i shëndoshë i këtyre konflikteve del si arsyeja kryesore që drejtues të krishterë pengohen në thirrjen e tyre.

E para e punës, duhet të dimë se fërkimet personale janë dhurata e Zotit për të dyja palët nëse i përballojmë në mënyrë të duhur. Kjo sepse zbulohen fusha ku kemi nevojë për t’u rritur, ku përkushtimi për ta dashur tjetrin kërkon më shumë këmbëngulje, etj. Kështu Zoti merr më shumë lavdi se sa kur nuk kemi sfida të tilla. Prandaj që të jesh udhëheqës do të thotë se duhet të kesh shumë kujdes si sillesh gjatë fërkimeve të pashmangshme me të tjerët. Kjo është një nga mënyrat kryesore nëpërmjet të cilës Zoti po na zbulon “trarët” në sytë tanë (Mt. 7:1‐5), e patjetër që kemi shumë dëshirë që këta të na hiqen. Prandaj konflikti i zgjidhur me kujdes del si bekim i madh, se na ndihmon kaq shumë për t’u rritur. Megjithatë nuk mund të mohojmë se kurdoherë që kemi probleme të tilla e kemi të vështirë t’i përballojmë siç duhet. Prandaj po parashtrojmë këto hapa, që ta kemi planin gati para se të fillojë beteja.

Hapat e kërkuar për zgjidhjen e konflikteve:

1. E para, duhet të synosh t’i japësh lavdi Zotit nëpërmjet sjelljes dhe me fjalët e tua. Kërkoji Krishtit hir për ta plotësuar këtë thirrje.

2. Së dyti, duhet të dalësh para Zotit për të kërkuar më së pari trarin në syrin tënd para se të merresh me lëmishten në syrin e tjetrit. (Mt. 7:1‐5) Për shkak se zemra jonë mashtrohet kaq lehtë (Jer. 17:9) dimë se vetëm Ati është objektiv dhe duhet të lutemi për të dëgjuar me zemër vërtetë të hapur përpara Tij.

3. Së treti, duhet të qëndrosh para Zotit për ta falur tjetrin e duke e bekuar me gojë deri sa ta ndjesh këtë edhe me zemër. Kjo duhet të ndodhë para se të shkosh për të folur me tjetrin. Mbaj mend: Bekimi është matës i faljes! Zakonisht ne duhet të përsërisim shpalljen e bekimeve disa herë pasi falja është një proces, jo diçka që përfundohet herën e parë që falim.

4. Së katërti, në qoftë se do të mbetet një barrë në zemrën tënde lidhur me këtë marrëdhënie, atëherë duhet të shkosh tek personi, pavarësisht se i kujt është faji. (Mt. 18:15 apo Mt. 5:23-24) Mirëpo, ka shumë rëndësi se si shkon! Së pari duhet të sigurohesh që nuk ndan problemet me të tjerët pa folur më së pari me personin në fjalë. Gjithashtu duhet të shkosh tek tjetri me pyetje dhe përulje, e jo me akuza. Fillimisht është mirë të rrëfesh çfarëdolloj trari që Perëndia të ka treguar ty tek hapi i dytë dhe të kërkosh falje. Pastaj mund të pyesësh për lëmishten e tjetrit. (Mos e presupozo fajin pa u informuar nga vetë personi!) Le të përsërisim: nëse ke folur me dikë të tretë për gabimin e tjetrit pa u përpjekur ta zgjidhni çështjen së pari midis jush, ke rënë në mëkat. Mt. 18:15-17 duhet të diktojë sjelljen tonë. Urojmë që të kesh zgjidhur problemin së bashku me këtë hap dhe rritja personale shtohet.

5. Po të mos zgjidhet situata me kaq, atëherë vargu Mt. 18:16 na thotë që së bashku të gjejmë një person të tretë, i respektuar nga të dy palët, për të na ndihmuar. Normalisht ky person është një udhëheqës(e) në kishë.

6. Rrallë ndodh që një fërkim nuk rregullohet gjatë këtyre hapave, por po të mos zgjidhet me kaq, hapi i fundit është që të dorëzohet tek pleqësia e kishës, ku ti dhe tjetri jeni gati për t’u përulur e të pranoni ndreqjen e duhur në këtë nivel. (Në qoftë se njëri tashmë është pjesë e pleqësisë vetë, atëherë duhet të dorëzojë autoritetin si plak dhe të nënshtrohet në këtë çështje.) Në qoftë vetëm njëra palë e sheh të nevojshëm këtë hap, automatikisht edhe tjetri duhet ta pranojë.

Heb. 12:5-11 sqaron që ne të gjithë bijtë e Atit do të kemi nevojë për disiplinën e Tij, e kjo ka për të ndodhur jo rrallë. Konflikti është një nga vjedhësit më të zakonshëm, që parandalon prodhimin e frytit në shërbesë ose që e rrit atë, ndaj e theksojmë që të ndiqet një proces i shëndoshë në zgjidhjen e saj. Të lutem shumë të kesh shumë kujdes për sjelljen tënde në konflikt, se probleme të tilla janë normale gjatë jetës në shërbesë. Beso se Zoti do t’i përdorë për mirë këto gjëra! Qofsh i bekuar!

Shkarko aplikacionin