Kush është më i mirë vjedhësi apo hajduti?

Edhe pse kur e dëgjon fjalën hajdut, të vijnë në mendje format më flagrante të vjedhjes, mendoni pak mbi këto pyetje:

  • S’ka dyshim se menaxheri që nuk i jep hakun punëtorit i vjedh djersën, por po ai që merr materialet e punës pa leje si quhet?
  • Ai që shet një mall me hile është vjedhës apo jo? Po blerësi që ia kthen mallin kompanisë pasi e ka dëmtuar vetë, çfarë bën?
  • Nuk ngurrojmë t’i vëmë gishtin vajzës që paguan një bluzë ndërsa ka vënë një tjetër në çantë. Po llogaritari që magazinon mangët sasinë e furnizimit çfarë quhet?
  • Mirë bujku që i skuq me marifet domatet, por po ai që e shet një veturë pa treguar defeket e saj çfarë është?
  • Lë shije të hidhur ustai që merr lekët e nuk mbaron punën, por po klienti që thotë se do t’i sjellë lekët më vonë, dhe s’i bie kurrë?
  • Dhe, a s’është vjedhës ai që merr para borxh, kur s’ka ndërmend t’i kthejë fare?
  • E dimë ç’emër t’i vëmë arkëtares që ngatërron kastile llogarinë, por po zyrtari që ekzagjeron shpenzimet e dietës, si quhet?
  • A s’është vjedhës ai që përdor uniformën e ligjit për të fituar lekë padrejtësisht? Patjetër. Po çfarë të themi për nëpunësin e shtetit që e ‘humb’ laptopin e punës se i duhet vajzës? Apo shefja e departamentit që përditëson pajisjet e zyrës e gjoja i hedh poshtë të vjetrat? Apo shefi që e shton listën e punonjësve në mënyrë fiktive?
  • Mirë këta që vjedhin shtetin, por po fshatari që vjel për vete ullinjtë e bashkëfshatarit? Apo komshiu që merr hua shkallën e nuk e kthen? Apo shoferi që naftën e makinës së punës e djeg në makinën e tij personale? Apo turistja që përlau peshqirin e hotelit kur iku? Si quhen këta?
  • Ndërsa për administratorin e fondit të bamirësisë që ngeli duke drekuar shtrenjtë, ç’mund të themi?

E të mos harrojmë atë që kalon në dorë me vetëdije sende të vjedhura. Ai nuk është pa faj. Rrënja thahet nëse nuk vaditet. Kështu që nuk do të kishte kaq shumë vjedhje në botë po të mos kishte kaq shumë blerës për mallin e vjedhur.

Shkarko aplikacionin