Kush tha Jezusi se ishte? Kush thotë Bibla se ishte? Së pari le të shohim fjalët e Jezusit tek Gjoni 10:30, “Unë dhe Ati jemi një”. Në pamje të parë, kjo nuk duket si një shpallje se Ai ishte Zot. Megjithatë, shikoni reagimin e Judenjve kundrejt kësaj thënie: “Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi”. (Gjoni 10:33). Judenjtë e kuptuan thënien e Jezusit si një shpallje që Ai ishte Zot. Në vargjet në vazhdim Jezusi nuk i korrigjoi asnjëherë Judenjtë duke thënë: “Unë nuk thashë që jam Zot”. Kjo do të thotë se Jezusi me të vërtetë po thoshte se ishte Zot duke deklaruar: “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30).
Gjoni 8:58 është një shembull tjetër. Jezusi deklaroi: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam”. Dhe përsëri, si kundërpërgjigje, Judenjtë morën gurë për ta qëlluar Jezusin (Gjoni 8:59). Jezusi duke shpallur hyjninë e Tij me fjalët “unë jam” është duke cituar një nga emrat e Zotit në Testamentin e Vjetër (Eksodi 3:14). Pse Judenjtë donin ta qëllonin Jezusin me gurë, nëse Ai nuk kishte thënë diçka që ata besonin se ishte blasfemi, dmth, një pretendim për të qenë Zot? Tek Gjoni 1:1 thuhet se: “Fjala ishte Perëndi”. Tek Gjoni 1:14 thuhet se: “Fjala u bë mish.” Kjo tregon qartë se Jezusi është Zoti në mish. Një nga dishepujt e Tij, Thomai iu drejtua Jezusit: “Zoti im dhe Perëndia im” (Gjoni 20:28). Jezusi nuk e korrigjon atë. Apostulli Pal e përshkruan Atë si: “…i madhi Perëndi dhe të Shpëtimtari jonë Jezu Krisht” (Titit 2:13). Apostulli Pjetër thotë të njëjtën gjë: “…Perëndia dhe Shpëtimtari ynë Jezus Krisht” (2 Pjetrit 1:1). Perëndia At është gjithashtu dëshmitari i identitetit të plotë të Jezusit. Por në lidhje me Birin Ai thotë: “Froni Yt o Zot, do të zgjasë përherë dhe drejtësia do të jetë skeptri i mbretërisë tëne”. Profecitë e Testamentit të Vjetër deklarojnë hyjninë e Tij, “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes”.
Pse është kaq e rëndësishme çështja mbi identitetin e vërtetë të Jezusit? Pse ka kaq shumë rëndësi nëse Jezusi është apo jo Zot? Arsyeja më e rëndësishme pse Jezusi duhet të jetë me patjetër Zot është se nëse Ai nuk do të ishte Zot, vdekja e Tij nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për të shlyer dënimin e mëkatit për të gjithë botën (1 Gjonit 2:2). Vetëm Zoti do të mund të paguante një dënim kaq të pamasë (Romakëve 5:8; 2Korintasve 5:21). Jezusi duhet të ishte Zot që të mund të paguante borxhin tonë. Jezusi duhej të ishte njëri që të mund të vdiste. Shpëtimi është i mundshëm vetëm nëpërmjet besimit në Jezus Krishtin! Hyjnia e Jezusit është arsyeja pse Ai është rruga e vetme e shpëtimit. Hyjnia e Jezusit është arsyeja pse Ai shpalli: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).
marre nga https://www.gotquestions.org/Shqip/Jezus-Krishti.html