KRISHTLINDJA: DHURATË PËR BOTËN

Dhuratat e Zotit janë të shumta: ajrin, ujin, dritën, tokën, malin dhe fushën. Por, pa u zgjatur te pasuritë e natyrës që na janë vënë në dispozicion, më mirë përqëndrohemi te fakti që jemi pajisuar vetë me dhunti të jashtëzakonshme. Kush mund të mohojë që të parit, të dëgjuarit, të folurit e të ecurit, janë dhënë prej Perëndisë? E jo vetëm aq. Sikurse na ka furnizuar me talente për të kënduar, për të shkruar, apo për të kryer njëmijë lloj punësh të ndryshme, Zoti na ka zbukuruar, gjithashtu, me inteligjencën dhe ndjeshmërinë për t’i shijuar këto veprimtari.

Pavarësisht të gjitha këtyre të mirash, kemi një problem. Ka një boshllëk në shpirtin e njeriut, madje një ligësi. Jemi shkëputur nga burimi i jetës që qëndron pas të gjitha gjërave. Nuk është ekzagjërim të thuash që egozmi që shfaqet aq shpesh te ne, në të gjitha format e saj të ndryshme, zbulon që kemi nevojë për shpëtim. Dhe si mund të shpëtojmë pa dalë në skenë një shpëtimtar? Këtu bëhet fjalë për dhuratën origjinale të Krishtlindjes.

Njerëz injorantë pyesin se përse Zoti s’u jep më shumë të mira materiale. Ndërsa ata që janë të urtë, e dinë që kemi nevojë për diçka tjetër.

Disa dyqane tregëtojnë mallra vetëm për njerëz të pasur. Dhuratat që ata shesin janë kaq të shtrenjta sa një njeri i zakonshëm nuk mund t’i blejë dot. Por dhurata e Perëndisë u ofrohet të gjithëve. Ja, premtimi i Biblës: “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”.

Asnjë s’mund të pohojë: “Unë doja të shpëtohesha, por Jezus Krishti nuk erdhi për mua!” Në faqen e fundit të Biblës, gjendet fjala e ngrohtë: “Eja! Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës”.

Shijet ndryshojnë, teknologjia ndryshon, qëndrimet ndryshojnë. Pothuajse çdo gjë që njohim ka ndryshuar me kalimin e kohës. Por Jezus Krishti është dhurata e pandryshueshme e Perëndisë. Shkrimet e Shenjta deklarojnë: “Jezus Krishti është i njëjtë dje, sot dhe përjetë”.

S’është çudi që dhuratat që keni marrë para disa vitesh tani e kanë humbur vlerën, por Jezusi mbetet përjetë. Ai është i njëjtë sot për ata që i besojnë atij si shpëtimtar, ashtu siç ishte për ata që i besuan dy mijë vjet më parë!

Vetë fakti që shpëtimi është një dhuratë tregon se është i pamerituar. Nëse fitohet ose meritohet, nuk është më dhuratë. Shumë thonë se shpëtimi vjen pjesërisht nga Zoti dhe pjesërisht nga veprat tona, por kjo nuk mund të qëndrojë. Po të kishim një mijë jetë dhe të punonim ditë e natë, nuk do të arrinim të fitonim këtë çmim. Ka vetëm një mënyrë që ta shijoni bekimin e madh të faljes së mëkatëve: ai duhet të jetë dhuratë. Sikurse Krishti i tha njërës që kishte rënë në faj: “Po ta njihje dhuratën e Perëndisë, ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë”.

Dhurata e Perëndisë është, gjithashtu, një dhuratë falas. Prindërit shohin me fytyra të gëzuara ndërsa fëmija hap një pako të bukur dhe pastaj thërret me gëzim. Po sikur të mbetet një dhuratë e pahapur? Sa i trishtuar duhet të ndihet ai që dhuron kur mendon se dhuratën e tij nuk e duan! Ndoshta disa prej atyre, që nuk e kanë marrë dhuratën e Perëndisë, po i lexojnë këto rreshta. Nuk i ke besuar asnjëherë Jezus Krishtit? Nëse është kështu, më lejoni t’ju nxis që ta besoni atë sot. Bibla lajmëron “Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit”.

Ardhja e Jezus Krishtit në këtë botë, dhe vdekja e tij për të paguar për mëkatet e botës, është e vlefshme vetëm për ata që e pranojnë. Të marrësh dhuratën e Perëndisë, do të thotë se erdhi koha që pranon që je nevojtar përpara Zotit. Ky është mesazhi i Krishtlindjes.

Shkarko aplikacionin