Jezusi. KUSH MENDON TI QË JAM UNË?

Jezusi

Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cezaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: ”Kush thonë njerëzit se jam unë?”. Ata u përgjigjën: ”Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët”.

Të gjithë në jetë kemi pyetje të rëndësishme për t’u përgjigjur. Kur jemi të vegjël na pyesin “Çfarë do bëhesh kur të rritesh?”, pastaj “Çfarë shkolle të lartë do vazhdosh?”, ose “Çfarë profesioni do zgjedhësh?”. Besoj një nga pyetjet madhore që përballemi është “Me kë do e kalosh jetën tënde?”

Ka pyetje, përgjigjet e të cilave nuk sjellin ndonjë pasojë domethënëse në jetën tonë. Por ka pyetje të rëndësishme, të cilat kërkojnë një shoshitje të madhe të mendimeve për shkak se përgjigja mbart përgjegjësi të madhe. Nëse pyetja është çfarë do veshësh sot, përgjigja nuk është shumë e rëndësishme, pasi ti mund t’a ndryshosh kollaj. Por nëse pyetja është “Me kë do të martohesh?” përgjigjja që ti zgjedh është shumë e rëndësishme dhe ka pasoja në jetën tënde.

Një realitet, pyetjet rreth të cilit shpesh i anashkalojmë, ose nuk iu kushtojmë vëmendjen e duhur, është realiteti shpirtëror. Dikush ka thënë: “Gjëja që na vjen në mend kur mendojmë për Zotin, është gjëja më e rëndësishme rreth nesh.” Mënyra si e konceptojmë apo shikojmë Zotin na dikton mënyrën si e jetojmë jetën. Duam apo s’duam ta pranojmë ne, mënyra si i përgjigjemi pyetjeve rreth Zotit reflektohet në zgjedhjet që bëjmë në jetën tonë, çfarë vlerësojmë ne si të rëndësishme, cilat janë bindjet tona dhe si veprojmë duke u bazuar në to.

Historia e cituar në vargjet më sipër vazhdon me një pyetje të drejtpërdrejtë të Jezusit ndaj miqve të Tij. Dhe ai u tha atyre: ”Po ju, kush thoni se jam?”. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: ”Ti je Krishti”.

Për Pjetrin kjo ishte një deklaratë jetëndryshuese. Mjafton të studiosh personazhin e tij për të parë se si përgjigja e kësaj pyetje u bë themeli mbi të cilin ai ndërtoi jetën e tij.

Nëse Jezusi do të bënte të njëjtën pyetje, si do përgjigjeshe ti? Ne mund të zgjedhim ta anashkalojmë këtë pyetje, si të parëndësishme, ose pa lidhje me realitetin tonë, ose thjesht nuk duam të merremi me pasojat ose implikacionet që mund të na sjellë përgjigja në mënyrën si e jetojmë jetën tonë. Ne mund të zgjedhim të diskutojmë në nivelin intelektual se kush është Jezusi dhe të bëhemi mjeshtër të spekulimeve rreth Tij, por herët a vonë do të na duhet të përballemi me këtë pyetje të thjeshtë, por themelore, kush është Jezusi për mua?

Nëse Ai ishte vërtet personi që pretendonte të ishte, atëherë kjo mund të jetë pyetja më e rëndësishme në jetën e çdo njeriu që ka jetuar ndonjëherë mbi rruzullin tokësor. Nëse do e marrësh Jezusin në konsideratë, duhet të shqyrtosh pretendimet e Tij.

Ai tha se ishte Zot?

Gjatë kohës që Jezusi ishte në tokë, njerëzit kishin mendime të ndryshme se kush mund të ishte Ai. Disa mendonin se ishte një njeri i mençur, ose një profet. Të tjerë mendonin se ishte i çmendur. Por kishte edhe nga ata, që nuk nuk e ndanin dot mendjen ose thjesht nuk donin t’ia dinin. Por Jezusi tha: “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30). Kjo do të thotë që Ai pretendoi se ishte asgjë më pak se Zoti i mishëruar.

Shpëtimtari

Gjoni 3:16 thotë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

“Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12). Këto vargje thonë se Jezusi është i vetmi që mund të na falë dhe transformojë, duke na çliruar nga robëria e mëkatit.

Gjykatësi

“Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit” (Veprat e Apostujve 17:30-31). Të gjithë ata që e mohojnë Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar, një ditë do të përballen me Të si gjykatës.

Rruga e vetme

Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” (Gjoni 14:6). Ai nuk pretendoi të ishte një nga shumë rrugët që të çojnë tek Perëndia, por ‘rruga e vetme’.

Autori i serisë së njohur Kronikat e Narnias, C.S.Lewis shprehet kështu për Jezusin: “Ju mund ta konsideroni atë të çmendur, mund ta pështyni dhe ta vrisni si një demon, ose mund të përuleni tek këmbët e Tij dhe ta quani Zot dhe Perëndi. Por le të mos vijmë në përfundimin qesharak se Ai ishte thjesht një mësues i madh njerëzor. Ai nuk na e ka lënë të hapur këtë mundësi për ta quajtur kështu.”

Nëse Jezusi të pyet sot ty: “Po ti kush thua se jam?”  

Si do t’i përgjigjesh?

__________________________________

Shkarko aplikacionin