HOROSKOPI JUAJ

Përse e lexon horoskopin? Nga kureshtja? Për të marrë këshilla? Mos po kërkon për dashuri apo të tërheq e mistershmja? Ndoshta do thuash që e lexon thjesht për të qeshur.

Pothuajse çdo gazetë apo revistë sot përfshin një horoskop në faqet e saj. Pavarësisht se redaksia i beson këto gjëra apo jo, ata e dinë se tirazhi i tyre do të shtohet nëqoftëse rregullisht botojnë parashikime astrologjike, sepse ka një numër të madh lexuesish që i duan dhe i kërkojnë.

Suksesi i horoskopit qëndron pikërisht në faktin që tërheq njerëz të ndryshëm për arsye të ndryshme. Madje, shumë prej atyre që i lexojnë gjoja për gallatë, në realitet kanë një boshllëk në jetën e tyre dhe kërkojnë ta mbushin atë. Edhe nëse e pranojnë apo jo, e vërteta është që kanë pasiguri dhe duan të lexojnë një fjalë të mirë. Gjithë problemi qëndron në faktin që horoskopi është zëri i gabuar!

Astrologjia bazohet mbi idenë se vendndodhja e yjeve dhe e planetëve në momentin që lind njeriu përcakton fatin e tij. Por ka një problem thelbësor me këtë teori. Astrologu i sotëm nuk i shikon planetët në ato vende që i shikonte homologu i tij para tre mijë vjetësh, në kohën që u caktuan rregullat e astrologjisë. Ndërtohet pra jeta, mbi një themel të prishur?

Dihet që shkenca nuk ka zbuluar asnjë forcë planetare që ndikon mbi fatin e individit, veç gravitetit, i cili sigurisht që nuk bën ndonjë dallim midis dy personave. Kjo ka bërë që shumë studiues të hedhin poshtë horoskopin si një nga mashtrimet më të mëdha të të gjitha kohërave.

Astrologët (jo astronomët!) kanë dalë bllof, kush e di sa herë, nga krahasimi i fatit të personave që ndajnë të njëjtën ditëlindje. Është domethënëse mënyra se si shumica e binjakëve përfundojnë në rrugë shumë të ndryshme në jetë, le pastaj ç’mund të thuash për trinjakët! Përse habitesh? A nuk e dini që kanë lindur në të njëjtën ditë njerëz të mençur dhe injorantë? Atëherë, si qenka përcaktues për fatin e individit shenja nën të cilën ai ka lindur? Ndërsa kur flasim për karakteristikat e një personi, e dimë që tiparet e trashëguara kanë më shumë peshë sesa gjithë planetet e universit.

Pikëpamja Biblike

Yjet, bashkë me diellin dhe hënën, u krijuan për t’i dhënë dritë botës edhe që të shërbenin gjithashtu për matjen e kohës. Në historinë e krijimit shkruhet: “Pastaj Perëndia tha: Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata dhe të shërbejnë si shenja për të dalluar stinët, vitet dhe ditët”. Përveç kësaj, sigurisht që yjet kanë shërbyer gjatë shekujve si shenjë për lundrimin në det. Brez pas brezi, sidomos në kohën kur mungonin aparatura moderne, marinarët në të gjithë botën kanë gjetur rrugën e duhur falë yjeve.

Mirëpo, a nuk ka pasur raste kur yjet kanë shërbyer si shenjë për ndodhi të veçanta në tokë? Është e vërtetë që ka pasur raste të tilla në histori, jo me interpretime sipas skemës zodiak, por me interpretime të drejtpërdrejta, siç ishte rasti i yllit që lajmëroi dijetarët për lindjen e Jezu Krishtit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se yjet janë një burim këshillash për jetën e njeriut dhe as që duhet menduar se kanë ndonjë ndikim mbi fatin e tij personal.

Këtu na del në pah ndryshimi i madh midis besimit te Zoti (siç e shohim në shkrimet e shenjta) dhe besëtytnisë. A e dini që Bibla e ndalon plotësisht mbështetjen shpirtërore tek yjet? Porosia e dytë në ligjin e Zotit na udhëzon qartazi të “mos bëni figura ose shëmbëllesa të gjërave që janë lart në qiell…e nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh”. Madje, ligji i Perëndisë dënon në mënyrë kategorike praktikat astrologjike me fjalët: “Të mos gjendet mes jush ndonjë njeri që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë janë të neveritshëm për Zotin.”

Lind pyetje: Përse Bibla mban një qëndrim kaq të ashpër kundër besimit ndaj yjeve? Padyshim që kjo vjen për arsyen se praktika të tilla janë mashtruese dhe të rrezikshme. Ato i çojnë njerëzit në rrugën e gabuar dhe i largojnë nga besimi te Zoti.

Jo pak njerëz kanë marrë vendime të rëndësishme bazuar te horoskopi, në vend të përdorin forcën e arsyetimit që i ka falur Perëndia, ndërsa të tjerë kanë rënë pre e fiksimëve të palogjikshme. Ilaçi në këtë rast është t’i drejtohesh Jezus Krishtit, se vetëm ai të shpëton nga errësira. Jo më kot Jezui tha, “Unë jam drita e botës, kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë”.

A doni një parashkim?

Por atëherë, përse ngulin këmbë disa njerëz që horoskopi u del? Një arsye është që parashikimet shpeshherë janë shkruar me fjalë kaq përgjithësuese sa është e vështirë të mos dalin! Shkruhet që, “Do të takosh një të panjohur…” – por patjetër! Paralajmërohesh, “Duhet të ruhesh nga një rrezik…” – s’diskutohet! Është vënë re gjithashtu, që njeriu ka tendencë t’i kushtojë rëndësi asaj fjale që i qëllon e saktë, duke i harruar gjithë të tjerat që ishin të pasakta.

Por ka edhe arsye të tjera që njerëzit vazhdojnë të besojnë te horoskopi, përveç pasigurisë apo tërheqjes nga e mistershmja. A nuk ndodh që duam të gjejmë një shfajësim për të ndjekur dëshirat tona, pavarësisht se ato mund të jenë të dëmshme?

Për fat të keq parashikimi im është ky: nëse keni besuar deri tani te horoskopi, gjasat janë që ju do të vazhdoni të besoni te të ashtuquajturat “këshillat e yjeve” edhe pse ju është treguar haptas se kjo është e gabuar. Vetëm kini parasysh një gjë, kur të mbeteni të zhgënjyer në fund, fajin nuk e kanë yjet, e keni ju!

gazetamesazhi.com

Shkarko aplikacionin