Çfarë do të thotë të jesh i krishterë i rilindur?

Rilindja është një transformim i brendshëm. Që të ndodhë, a duhet të kuptosh sa njeri i mirë je?

Secilit i duket vetja njeri i mirë, sepse e krahasojmë veten me njerëz më të këqij. Por, standardi i Perëndisë është shumë i lartë për ta quajtur veten të mirë dhe për të merituar të shkojmë në parajsë.

Cili është standardi i Perëndisë?

Standardi që Perëndia ka dhënë janë dhjetë urdhërimet. A ke gënjyer ndonjëherë në jetën tënde? Nëse përgjigja është po, kjo të bën gënjeshtar (një apo njёmijё gënjeshtra, gënjeshtra është veprim që të bën të quhesh gënjeshtar). A ke marrë diçka që nuk të përket, pavarësisht vlerës materiale të vogël apo të madhe që mund të ketë gjëja? Kjo të bën hajdut. Jezusi thotë se, nëse shikon një femër apo mashkull, që nuk është burri apo gruaja jote, dhe ke epsh për të, kjo të bën një kurorёshkelës. Lista vazhdon, por të gjithë e gjejmë veten si shkelës të standardit të Perëndisë. Ndaj kemi nevojë për një shpëtimtar, sepse ose do paguajmë vetë për mëkatin tonë, ose do paguajë dikush tjetër .

Mëkati shlyhet me vdekje. Kush do vdesë për mëkatet tuaja?

Jezusi u sakrifikua për të paguar mëkatin tonë. Kur pranon dhe beson këtë, kupton që ka nevojë të ndryshojë mënyrën e të vepruarit (të mos gënjesh, vjedhësh, lakmosh, etj.). Ky proces transformimi, për shkak të besimit që Zoti Jezus tashmë ka paguar për ty, quhet rilindje. Në Zotin ti je një krijesë e re.

Çfarë do të thotë të jesh i krishterë i rilindur?

Përgjigja klasike nga Bibla, që i përgjigjet kësaj pyetjeje, gjendet tek Gjoni 3:1-21. Zoti Jezus Krisht është duke biseduar me Nikodemin, një farise i rëndësishëm dhe anëtar i sinedrit, pra drejtues i hebrenjve. Nikodemi e vizitoi Jezusin në mbrëmje dhe kishte disa pyetje për Të.

Ndërsa Jezusi fliste me Nikodemin, Ai i tha atij: “…Në të vërtetë, në të vërtetë po të them që, nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”. Nikodemi i tha: “Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?”. Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: “Duhet të lindni përsëri”.

Fraza “i rilindur” fjalë për fjalë do të thotë “i lindur prej së larti”. Nikodemi kishte një nevojë reale. Ai kishte nevojë për një ndryshim të zemrës, një transformim shpirtëror. Lindja e re, të qenit i rilindur, është një vepër nga Perëndia me anë të së cilës një besimtar merr jetën e përjetshme (2 Korintasve 5:17; Titit 3:5; 1 Pjetrit 1:3; 1 Gjonit 2:29; 3:9; 4:7; 5:1-4, 18).

Pyetja logjike që na lind është: Pse është e nevojshme që një njeri të rilindë? Tek Efesianëve 2:1 Apostulli Pal thotë: “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate…”. Tek Romakëve 3:23 Apostulli u shkroi romakëve: “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”.

Si është e mundur që kjo të ndodhë? Tek Efesianëve 2:8-9 thuhet: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush”. Kur një person “shpëtohet”, ai/ajo është i rilindur, i ripërtërirë nga ana frymërore, dhe tashmë është një fëmijë i Perëndisë me të drejtën e lindjes së re. Të besosh në Jezus Krishtin, të Vetmin që pagoi dënimin e mëkatit kur vdiq në kryq, është kuptimi i vërtetë i të qenit “i rilindur” nga ana frymërore. “Prandaj, nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re…(2 Korintasve 5:17a).

Nëse ju asnjëherë nuk keni besuar në Zotin Jezus Krisht si Shpëtimtarin tuaj, a do ta konsideroni shtysën e Frymës së Shenjtë ndërsa Ai i flet zemrës suaj? Ju keni nevojë të rilindni. A do ta bësh lutjen e pendesës në mënyrë që të bëhesh një krijesë e re në Krishtin sot? “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndi” (Gjoni 1:12-13).

Nëse doni ta pranoni Jezus Krishtin si Shpëtimtarin tuaj dhe të rilindni, kjo është një lutje e thjeshtë. Mos harroni, asnjë lloj lutjeje nuk ju shpëton. Vetëm besimi juaj tek Krishti mund t’ju shpëtojë nga mëkati. Kjo lutje është thjesht një mënyrë për t’i shprehur Zotit besimin që keni tek Ai dhe për ta falënderuar Atë që siguroi shpëtimin tuaj.

“Zot, e di që kam mëkatuar kundër teje dhe meritoj të ndëshkohem. Por, Jezus Krishti mori ndëshkimin që unë meritoja, që nëpërmjet besimit tek Ai unë të mund të isha i/e falur. Unë largohem nga mëkati im dhe të besoj Ty për shpëtimin tim. Faleminderit për mëshirën tënde të mrekullueshme dhe për faljen, dhuratën e jetës së përjetshme! Amen!”.

Shkarko aplikacionin