Ranë në kurth me mijëra njerëz që ushtronin aktivitete kriminale duke përdor një aplikacion për komunikim të fshehtë që ishte shpikur nga vetë FBI-ja.
Loja filloi në Australi, ku agjentë të policisë futën në qarkullim disa aparate që ishin pajisur me app-in në fjalë. Përdoruesit e parë, të kënaqur me shërbimin konfidencial, filluan t’ua rekomandonin shokëve blerjen e mjetit komunikues. Brenda pak vitesh u shitën 11.800 pajisje, që u shpërndanë kudo në botë, të blera kryesisht nga persona me aktivitete të dyshimta. Tani del që platforma që quhej ANOM nuk ishte fare anonime. Shpikësit e programit kishin krijuar një vrimë për të përgjuar të gjitha komunikimet në rrjetin e ashtuquajtur sekret.
Sot, qindra njerëz janë vënë në pranga, e mijëra të tjerë janë vënë në ankth, duke ditur që policia disponon të gjitha provat për përfshirjen e tyre në aktivitete ligjshkelëse. Besuan që po flisnin në fshehtësi, por ja që doli ndryshe.
Nuk janë të vetmit që duhet të shqetësohen. Çfarë mund të themi për engjëjt që mbajnë shënim të gjitha komunikimet – e mendimet –të mbrapshta këtu në tokë? Dosjet po plotësohen. Ballafaqimi po vjen. A nuk e dini që ka Big Brother mbi Big Brother? Sepse çfarë të bën Perëndia, s’ta bën as policia!